Telegrafi

Katër futbollistë të Prishtinës rinovojnë kontratat, dy mesfushorët kryesorë dhe dy portierët mbesin bardhëekaltër

FC Prishtina ka rinovuar kontratat me katër futbollistë të saj, dy prej të cilëve sezonin e shkuar bartën barrën kryesore.

Mesfushorët Lorik Boshnjaku dhe Endrit Krasniqi kanë arritur marrëveshje disavjeçare me Prishtinën, kurse portierët Eglant Haxho e Alban Muqiqi, kanë vazhduar marrëveshjet edhe për nga një vit.

Lorik Boshnjaku, 25 vjeç, me fanellën e Prishtinës është nga janari i vitit 2015. Ai ka regjistruar 145 ndeshje zyrtare, larg futbollisti aktiv me më së shumti paraqitje për këtë klub.

Krasniqi, në tetor mbush 26 vite, me fanellën e Prishtinës është nga janari i vitit 2015 dhe për disa vite me ndërprerje ka regjistruar 84 paraqitje zyrtare.

Muqiqi, në nëntor mbush 25 vite, është fëmijë i Prishtinës duke e mos e ndërruar asnjëherë skuadrën për të cilën ka regjistruar 47 paraqitje zyrtare.

Haxho, në muajin nëntor mbush 32 vite, pjesë e Prishtinës është nga viti 2019 me që rast ka regjistruar 8 paraqitje zyrtare me skuadrën bardhekaltër.