Site icon Telegrafi

Katër anëtarë të Komisionit hetimor nuk mund të dëgjojnë dëshminë e SHISH

Duke qenë se të dhënat që pritet të japë kreu i SHISH-it para Komisionit hetimor konsiderohen sekrete, gjithçka është pezulluar derisa për çështjen të shprehet Aleanca e Atlantikut të Veriut e veçanërisht struktura që mbikëqyr shërbimet sekrete të vendeve anëtare të NATO-s, raportoi të shtunën e përditshmja Mapo.

Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se pas këtij ngërçi SHISH i ka dërguar një letër zyrës së Sigurimit të NATO-s (NOS), ku i sqaron situatën e krijuar me Komisionin hetimor dhe i kërkon të shprehet nëse katër deputetët kanë të drejtë të njihen me informacion të klasifikuar, në kushtet kur certifikatat e tyre të sigurisë nuk janë dhënë me miratimin e SHISH-it.

Sipas korrespondencës së SHISH-it me Komisionin hetimor, që po heton rolin e institucioneve në raport me ngjarjet e 21 janarit, vetëm dy prej anëtarëve të tij janë të pajisur me certifikata sigurie. Katër deputetët e tjerë kanë arritur t’i sigurojnë certifikatat që u lejojnë të njihen me informacionin e klasifikuar, vetëm nëpërmjet Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, pa marrë më parë miratimin e SHISH-it, i cili duhet të shprehet nëse deputetët janë të përshtatshëm ose jo për t’u njohur me këtë kategori informacioni.

Burimet sqarojnë se kjo është arsyeja kryesore përse gjithë korrespondenca e Komisionit hetimor me SHISH-in i është kthyer pas këtij të fundit, vetëm pak orë pasi ka marrë dokumentacionin e kërkuar. Kjo situatë duket se ka vënë vërtet në vështirësi Komisionin, kryetari i të cilit tha zyrtarisht se seanca dëgjimore me kreun e SHISH-it është shtyrë në një datë tjetër, për arsye teknike. Dhe në fakt, kjo seancë duket se nuk do të realizohet edhe për disa kohë, pas futjes “në lojë” të strukturave të NATO-s, të cilat do të shprehen për mënyrën sesi do të zgjidhet ngërçi i krijuar për shkak të mungesës së certifikatës së sigurisë për të paktën katër anëtarë të Komisionit hetimor. /Telegrafi/
 

Exit mobile version