Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kate Marie Byrnes thotë se Ligji për Prokurorinë do të jetë vendimtar për Maqedoninë e Veriut për të dëshmuar përkushtimin për anëtarësimin në BE.
Ajo bëri thirrje të vazhdohet me reforma në mënyrë që të ndërtohen institucione më të pavarura dhe të përqendrohen në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përcjell Telegrafi Maqedoni,
“Kur flasim për shfaqjen e gatishmërisë nga Maqedonia e Veriut për integrim në BE, mendojmë në miratimin e Propozim-ligjit për Prokurorinë Publike”, thotë Byrnes.
Sipas saj, me miratimin e këtij ligji do të dëshmohet se në këtë moment kritik, Maqedonia e Veriut përkushtohet në luftimin kundër korrupsionit dhe se kjo duhet të jetë politikë mbipartiake.
Çështja e PSP-së, sipas saj duhet të vazhdojë.
“Qytetarët presin dhe meritojnë të shohin, se ata që kanë keqpërdorur besimin duhet të përgjigjen dhe se gjyqësia është e njëjtë për të gjithë”, tha Byrnes./Telegrafi/