Site icon Telegrafi

Katastrofa la qindra mijëra të pastrehë në Singapor, por të gjithë u strehuan

Banesat e ndërtuara nga shteti shihen në shumë vende të botës si një zonë ku jetesa është e vështirë për shkak të cilësisë së dobët dhe kriminalitetit të lartë. Por në Singapor është krejtësisht e kundërta.

Apartamentet e ndërtuara nga qeveria në Singapor janë të pastra, të sigurta dhe të mirëmbajtura. Në to jetojnë rreth 80% e banorëve.

Singapori është gjithashtu një nga vendet me numrin më të lartë të personave që janë pronarë të banesave në të cilat jetojnë. Në vitin 2016, rreth 90% e personave ishin pronarë të shtëpive ku jetonin.

Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Singapori ka pasur probleme të rënda me banimin, por arriti ta zgjidhë më mirë se kushdo.

Në vitin 1959, kur Singapori mori nga Britania të drejtën për t’u vetëqeverisur, qyteti kishte një problem shumë të madh me strehimin, ndërkohë që popullsia po rritej në mënyrë shumë të shpejtë.

Në vitin 1960, kryeministri i parë i Singaporit, Li Kuan Ju, themeloi Bordin për Strehim dhe Zhvillim, (Housing and Development Board, HDB). Kjo ishte një agjenci shtetërore, me misionin për të ndërtuar banesa sociale që t’u jepeshin me qira të ulët banorëve më të varfër të qytetit.

Në atë kohë, shumë emigrantë, sidomos ata nga Malajzia, ishin duke jetuar në baraka jashtë standardeve të higjienës.

Ngaqë midis kinezëve dhe malajzianëve kishte tension etnik që ende vazhdonte të rritej, HDB e pati të vështirë  t’i bindte që t’i linin barakat informale e të vendoseshin në apartamentet e reja që kishin ndërtuar.

Më pas erdhi zjarri, ende i pashpjegueshëm, që shpërtheu në Bukit Ho Sui, më 25 maj të vitit 1961. Një zonë prej 400,000 metrash katrorë u dogj dhe u rrafshua.  Katër persona vdiqën dhe 16,000 mbetën pa shtëpi.

Qeveria arriti t’i strehojë të gjitha viktimat me sukses, brenda një viti. Në pesë vitet e ardhshme zhvilloi ndërtesa të reja mbi zonën e katastrofës.

Reagimi i shpejtë nga qeveria fitoi miratimin e njerëzve dhe hodhi themelet për sistemin e strehimit që do të ndiqej në vitet e ardhshme.

Në lajmet e atëhershme britanike, Singapori konsiderohej si një nga vendet e pakta në të gjithë botën, ku një agjenci shtetërore kishte arritur ta realizonte me sukses projektin e premtuar për strehim, brenda pesë viteve.

Në vitin 1965, HDB kishte arritur të ndërtonte 51,000 apartamente, duke strehuar rreth 400,000 banorë, që në atë kohë ishin një e katërta e popullsisë. Në këtë mënyrë zgjidhën problemin e strehimit. /tch/

 

 

Exit mobile version