Katari ka dëbuar një aktivist saudit të të drejtave të njeriut, i cili po udhëtonte drejt Norvegjisë, ku shpresonte të merrte të drejtën e azilit, njoftoi të hënën një OJQ.
”Mohammed al-Otaibi, 49-vjeç, ishte larguar vullnetarisht drejt Katarit fqinjë në mars pasi ishte detyruar të dilte para një gjykate antiterroriste në dhjetor për akuza që lidheshin me militantizmin e tij”, saktësoi Gulf Center for Human Rights (GCHR).
Të dielën al-Otaibi dhe bashkëshortja e tij u dëbuan me forcë drejt Arabisë Saudite ndërsa ata po udhëtonin drejt Norvegjisë, sqaroi OJQ që ka zyra në Kopenhagë dhe në Bejrut.
GCHR, që po ndjek nga afër situatën e të drejtave të njeriut në vendet e Gjirit, u shpreh në një deklaratë se Oslo kishte pranuar t’i akordonte çiftit dokumente udhëtimi dhe të drejtën për të kërkuar azil që në momentin e mbërritjes.