Site icon Telegrafi

Katalunia kërkon referendum të ri për pavarësi, por që do të njihej edhe nga Spanja

Katalonia kërkon të arrijë një marrëveshje me qeverinë spanjolle rreth mbajtjes së një referendumi për pavarësinë e mundshme të rajonit, e cila do të njihet si nga Spanja, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, qeveria spanjolle e hodhi poshtë propozimin.

“Ata kanë ato aspirata maksimaliste, të cilat absolutisht nuk ndahen nga qeveria”, u tha gazetarëve zëdhënësja, Isabel Rodriguez.

Por të dyja qeveritë do të vazhdojnë të bisedojnë për të “normalizuar” marrëdhëniet e tyre, tha ajo, raporton reuters.

Propozimi i ashtuquajtur i “marrëveshjes së qartësisë” vjen pak përpara përvjetorit të pestë të referendumit të paautorizuar të pavarësisë së Katalonisë dhe në një kohë kritike për lëvizjen e saj separatiste, e cila është dëmtuar nga ndarjet midis të moderuarve dhe radikalëve që kanë kërcënuar prishjen e koalicionit qeveritar.

Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, ka favorizuar dialogun me Kataloninë për të rindërtuar marrëdhëniet, pasi një përpjekje kaotike e njëanshme për pavarësi në vitin 2017 e zhyti Spanjën në krizën e saj më të keqe politike në vite.

Megjithatë, ajo mbetet fuqimisht kundër pavarësisë dhe deri më tani ka përjashtuar një referendum ligjor. Kushtetuta spanjolle bllokon shpërbërjen e vendit, por disa studiues dhe separatistë katalunas argumentojnë se mund të ketë hapësirë ligjore për një votim nëse qeveria spanjolle bie dakord.

Një propozim i ngjashëm nga Katalonia në vitin 2012 u refuzua me vendosmëri nga qeveria e atëhershme konservatore në Madrid. Rajoni i pasur verilindor mbajti një referendum pesë vjet më vonë, pavarësisht një ndalimi nga gjykatat, dhe lëshoi një deklaratë të njëanshme të pavarësisë jetëshkurtër.

Kreu i qeverisë katalanase, Pere Aragones i tha parlamentit rajonal se për një referendum tjetër, Katalonisë i duhej miratimi i Madridit.

“Nuk kam dyshim se kjo është mënyra më e shpejtë dhe më efikase për të mbajtur një tjetër votim, sepse ai buron nga mësimet e nxjerra nga viti 2017 dhe kapërcen vështirësitë që nuk na lejuan të zbatonim rezultatin pesë vjet më parë”, tha ai.

Ai e quajti propozimin “më gjithëpërfshirës, demokratik dhe më të shpjegueshëm për komunitetin ndërkombëtar” dhe tha se do të kërkonte mbështetjen e të gjithë aktorëve politikë të Katalonisë.

Aragones është angazhuar në bisedime me Madridin dhe partia e tij, Esquerra Republicana de Catalunya, i ka dhënë shpesh votat e saj qeverisë së pakicës së udhëhequr nga socialistët në kongres.

Rreth 52 për qind e katalanasve kundërshtojnë pavarësinë dhe 41 për qind e mbështesin atë, sipas një sondazhi të qershorit. /Telegrafi/

Exit mobile version