Site icon Telegrafi

Kastrioti premton maksimumin ndaj serbëve

Kastrioti i pret me padurim duelet me Radniçkin e Kragujevcit, që do të zhvillohen sot dhe nesër në Danillovgrad të Malit të Zi. Për ferizajasit, kjo do të jetë një përballje e veçantë, pasi do të përballen me një skuadër serbe, në rrethin e dytë të Challenge Cup.

Skuadra kosovare është e motivuar ekstra për faktin se do të luajë me një ekip serb, ndërsa ferizajasit premtojnë se do ta japin maksimumin, për të dalë mirë nga këto dy duele.

“Është një lojë e vështirë. Ekipi është komplet edhe mendoj se do të marrim më të mirën prej kësaj loje. Të gjithë lojtarët do ta japin maksimumin nga vetja, pasi dihet edhe kundërshtari është nga Serbia dhe motivimi është shumë më i madh se në ndeshjet tjera”, deklaroi hendbollisti me përvojë i Kastriotit, Burim Zaskoku.

“Jemi përgatitur maksimalisht. Kemi punuar shumë për këtë ndeshje dhe do të japim më të mirën prej vetes”, shtoi kapiteni ferizajas. Kjo ndeshje do të zhvillohet në sallën e “Academy police” të Danillovgradit dhe do të fillojë në orën 17:00.

Vushtrria kualifikohet pa lojë

Klubi i hendbollit, Vushtrria, është kualifikuar në rrethin e tretë të Challenge Cup, me lehtësinë më të madhe të mundshme.

Në fakt, skuadra kosovare i ka fituar të dyja duelet ndaj kundërshtarit nga Gjeorgjia, Samtredia me rezultat zyrtar (10:0, 10:0), pasi mysafirët nuk kanë pranuar të vijnë për të luajtur në vendin tonë.

Arsyeja e gjeorgjianëve ishte banale, pasi nuk pranuan të luanin ndaj ekipit kosovar për shkak se vendi i tyre nuk e ka pranuar ende Kosovën si shtet.

“Kundërshtarët nuk pranuan të vinin në Kosovë, me pretekst se shteti i tyre nuk e njeh vendin tonë”, njofton klubi vushtrrias. Me këtë rast, Kosova kalon në rrethin e tretë, ku do të përballet me skuadrën turke, B.B. Ankara Spor, më 21 e 28 nëntor. Vushtrriasit do ta kërkojnë të tetën e finales. 

Exit mobile version