Telegrafi

Kastriot Imeri gati të rikthehet në aksion në Superligën e Zvicrës

Kastriot Imeri është njëri nga talentet më premtues që ka Kosova, pasi me paraqitjet e tij te Servette e ka merituar këtë epitet.

Mesfushori defensivë i lindur dhe rritur në Gjenevë të Zvicrës, e ka nisur në mënyrë perfekte edicionin në Superligën zvicerane me Servetten.

Ai i kishte zhvilluar 10 ndeshje, duke qenë përherë ndër më të mirët në fushë.

Por disa javë më parë talenti kosovar pësoi një lëndim që e mbajti për disa ndeshje jashtë fushave. Mesfushori 19-vjeçar është rikthyer nga lëndimi dhe është gati për ndeshjet e radhës.

“I lumtur që u riktheva nga lëndimi, tani gati për ndeshjet e radhës”, ka shkruar Imeri në faqen e tij zyrtare në Facebook, të hapur ditë më parë.

Kujtojmë që Imeri është njëri nga lojtarët më premtues të Kosovës dhe Përfaqësuesja e Kosovës synon që ta ftojë atë në vitin tjetër.

Servette e mban vendin e pestë në Superligën e Zvicrës me 21 pikë./Telegrafi/