Site icon Telegrafi

Kastrati: SHBA-të në vitin 2014 kanë mbështetur krijimin e Ushtrisë së Kosovës

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se SHBA-të në vitin 2014 e kishin mbështetur krijimin e Ushtrisë së Kosovës, por kjo nuk kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve në mes spektrit politik vendës.

Kastrati ka thënë se në 2014-në ndërkombëtarët kanë qenë të përgatitur dhe ka pasur mbështetje të fuqishme nga SHBA-të.

“Në mars të vitit 2014 FSK-ja ka qenë e gatshme të shndërrohet në ushtri dhe janë dorëzuar komplet rekomandimet që kanë dalë nga rishikimi strategjik. Pse nuk është bërë atëherë, tashmë dihet për opinionin, për shkak të mosmarrëveshjeve të spektrit politik vendës. Ndërkombëtarët kanë qenë të përgatitur dhe ka qenë e mbështetu fuqishëm nga SHBA-të, por nuk është bërë”, ka thënë Kastrati për “Arbresh.info”.

Ai ka thënë se forma më e mirë e për krijimin e Ushtrisë do të ishte me ndryshime kushtetuese, por, sipas tij, është e pamundur për shkak të Listës Serbe.

“Forma më e mirë do të ishte me ndryshime kushtetuese, por serbët janë pengesë, sepse ata përfaqësojnë interesat e Beogradit. Mendoj se presidenti ka bërë një punë të madhe dhe një iniciativë të mirë, se nëse nuk votojnë serbët, mund ta bëjmë ushtrinë edhe me ligj”, ka thënë Kastrati.

Exit mobile version