Site icon Telegrafi

Kastrati: Qëllimi im është që Kamenica të ketë zonën ekonomike

Tashmë janë bërë mbi një vit që kur Kamenica qeveriset nga kryetari më i ri në moshë në gjithë Kosovën. Qëndron Kastrati i cili mandatin e mori me Vetëvendosjen, por e vazhdoi nën petkun e PSD-së, në një intervistë për KosovaPress shprehet i kënaqur me udhëheqjen e tij.

Ai për synim kryesor ka që Kamenica së bashku me Ranillugun të bëhen një zonë ekonomike.

Sipas tij, kjo do të bënte që të ketë investitorë vendorë dhe të huaj, për shkak të pozitës së mirë gjeografike që ka Kamenica.

“Komuna e Kamenicës është shumë e përshtatshme për investitorë që e kanë synim tregun Evropian. Realisht prej komunës sonë, ku po synojmë me bërë zonën ekonomike, kufiri është diku rreth 2.5 kilometra. Me u kyç në korridorin dhjetë që fillon prej Greqisë, Porteve në Maqedoni, Serbi dhe shkon në Evropë nuk janë as njëzet kilometra. Ne kemi pasur një fond shtesë që e kemi marr tash në fund të vitit, diku afër katër qind e tetëdhjetë mijë euro, pjesa më e madhe e tyre janë orientuar në një projekt që është bllokuar për disa viteve. Diku janë 25 deri 30 për qind e qytetarëve që kanë mbetur pa sistemin e ujësjellësit është patur bllokuar ky proces, ka qenë me fondet e Agjencionit Zhvillimorë të Zvicrës, komunës së Kamenicës dhe nivelit qendror. E, tash është njëra prej çështjeve që ndihem më së shumti krenar që kemi arritur për një kohë kaq të shpejtë me realizuar diçka të tillë”, deklaro i ai.

Kastrati ka kërkuar nga Qeveria të ndryshohet mënyra e ndarjes së buxhetit.

“Problemi më i madh është që jemi komuna që shtatëdhjetë për qind e buxhetit shkon në paga, për shembull në arsim nëse e këqyrë sipas Ministrisë së Financave, 358 mësimdhënës janë më shumë, që duhet me i paguar prej buxhetit për investime kapitale subvencione, etj. Problemi është se si niveli qendror e ka logjikën që e shpërndan buxhetin. Tek ata dominohet logjika ku 89.7 përqind është numri i banorëve. Ne jemi një komunë shumë e madhe me sipërfaqe. Tetëdhjetë për qind e banorëve banojnë në zonat rurale, popullata është e shpërndarë. Nëse krahasohemi me Fushë Kosovën jemi territorialisht ajo është 100 kilometra, ne jemi 400 kilometra, pra mbi katër herë më e madhe, por ne duhet që dhe atyre banorëve që janë në fshatra të thella me i ofruar infrastrukturë dhe shërbime dhe ajo ka kosto. Krejt Kosovën një kilometër rrugë është njëjtë, kështu është njëri prej problemeve. Na çka po mundohemi me i ndryshuar këto ligje, po kërkojmë dhe prej qeverisë, Asociacionit të Komunave që nuk është e drejtë me dominuar logjika vetëm numri i banorëve. Në fund të fundit, nuk mundesh me zhvilluar një vend, veçanërisht nëse nuk investohet në pjesët rurale”, shtoi Kastrati.

Për numrin e madh të shkollave dhe nxënësit e pakët , Kastrati thotë se duhet gjetur një zgjidhje sa më shpejtë.

“Ne e kemi një të tretën e shkollave, ose trembëdhjetë shkolla që janë më pak se 25 nxënës, tre shkolla janë vetëm me nga dy nxënës…kuadër të kësaj kjo çështje është më e madhe se sa unë si kryetar dhe një drejtor i arsimit. Ne për këtë arsye jemi duke e shikuar dhe jemi duke komunikuar me ekspertë më të mirë që i kemi në Kosovë, por dhe me organizata të ndryshme me na përkrahë se si kishte me qenë zgjidhja më e mirë, njëri ekstrem është që janë 38 shkolla aktualisht, njëri ekstrem tjetër, nëse e shikon vetëm në letër cila duhet të kishte qenë më e mirë për nxënësit, do të duhej të ishin vetëm pesë shkolla. Prej 38 me zbrit në 5 shkolla. Tash këto janë çështje që përfshijnë dhe gjërat tjera”, ka thënë kryetari i Kamenicës.

Për largimin nga Vetëvendosje, Kastrati thotë se përkundër pakënaqësive që ka pasur në fillim te militantët dhe aktivistët e Vetëvendosjes, puna dhe zbatimi i programimit të tij ka vazhduar.

Sipas tij, nuk pa pasur ndonjë ndikim konkret që t’i bllokohen punët e Kamenicës.

“Është një pjesë e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, e militantëve, aktivistëve që janë zhgënjyer jashtëzakonisht shumë, në raport dhe me trendin e sukseseve, që unë si individ i kam arritur…deri tash jo, realisht deri tash jo edhe në kuvendin komunal në përgjithësi kanë qenë konstruktiv, votimet janë bërë në raport me projektet dhe idetë e caktuara, deri tash në komunën e Kamenicës, jo. Siç po duket besoj që nuk ka me pasur probleme të tilla. Është me rëndësi me kuptuar se kemi një program, i kemi pasur disa zotime dhe kemi një strategji dhe qasjes se si kemi arritur ata. Tash këto çështjet në raport me pakënaqësinë time, në ndryshimet që ka filluar me i pas VV nuk ndikojnë as tek unë dhe do të duhej që të mos ndikonin dhe as tek këshilltarët e kuvendit komunal të LVV që me penguar atë program që na kanë besuar qytetarët”, përfundoi ai.

Kastrati fitoi Kamenicën pas fitores në balotazh kundër kandidatit të LDK-së, Shaip Surdulli. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version