Telegrafi

Kastrati përgëzon policinë për efikasitet pas shpërthimit në veri

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, përgëzoi efikasitetin e Policisë së Kosovës që ka ndërhyrë shpejt dhe ka bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit, që është një person i komunitetit serb, fqinj me familjen e dëmtuar.

“Efikasiteti i organeve te rendit është përgjigja më e mirë që mund t’u jepet përpjekjeve të strukturave ilegale për të politizuar raste të ndjeshme sikur ky i fundit, ku janë lënduar dy fëmijë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, i cili gjatë natës ka qëndruar në Lagjen e Boshnjakëve, tha se situata ka qenë shumë e tensionuar.

“Banorët kanë qëndruar zgjuar gjatë gjithë natës nga frika e eskalimit të situatës”, tha Bala.

Sipas tij, strukturat e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë, meqë ditëve të fundit ka një valë incidentesh në veri, të cilat e kanë bërë shumë të ndjeshme situatën. /Telegrafi/