Telegrafi

Kastrati kërkon që Kamenica të trajtohet dinjitetshëm në ndarje të buxhetit

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se komuna që ai drejton ka përfituar më shumë grante nga Qeveria krahasuar me të kaluarën.

Kastratit ka thënë se ky është rezultat i insistimit të tyre, transmeton Telegrafi.

“Komuna e Kamenicës ka përfituar pakrahasimisht më shumë grante nga qeveria krahasuar me të kaluarën. Ky është rezultat kryekput i insistimit tonë. Ne vazhdojmë të diskriminohemi dhe kemi nevojë që resurset tona t’i orientojmë tek komunikimi i brendshëm lokal, e jo në korridore të ministrive duke kërkuar të drejtën tonë.

Unë sot e paraqita zhgënjimin dhe kërkesën tonë që Kamenica të trajtohet dinjitetshëm në ndarje të buxhetit, duke marrë parasysh madhësinë territoriale në raport me shërbimet komunale”, ka shkruar ai në Facebook.

Kastratit ka thënë se “ndarja e buxhetit, është proces që duhet t’i nënshtrohet një formule komplekse që merr parasysh kontekstin dhe variabla të tjera”.

“Kjo qasje e thjeshtëzuar e të gjitha qeverive, po e mbështetë për muri komunitetin tone”./Telegrafi/