Site icon Telegrafi

Kastrati: Gjendja e personit të infektuar me coronavirus është e mirë

Në komunën e Kamenicës sot është konfirmuar rasti i parë me COVID-19, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati ka thënë se gjendja e personit të infektuar është e mirë.

Kastrati ka bërë thirrje që qytetarët të iu përmbahen udhëzimeve të institucioneve dhe të mos e rrezikojnë jetën e tyre, transmeton Telegrafi.

“Siç e dimë tanimë, mënyra kryesore se si ne mund të mbrohemi nga ky virus është sidomos përmes shmangies së kontaktit me njerëz dhe pastrimit të duarve.

Virusi është i padukshëm, mirëpo efekti është shumë i rrezikshëm. Duke qenë mospërfillës ndaj udhëzimeve të institucioneve, ne mund të rrezikojmë jetën e më të dashurve tanë, shëndetin e prindërve, apo të tjerëve me sëmundje kronike.

Andaj, merreni me shumë seriozitet! Dalja jashtë të jetë opsioni i fundit. Vetëm kur është e domosdoshme”, ka shkruar Kastrati.

Lexo po ashtu 12 raste të reja me coronavirus, shkon në 106 numri i të infektuarve në Kosovë

I pari i Kamenicës ka pohuar se qytetarët mund ta shfrytëzojnë këtë kohë për të riparuar diçka rreth shtëpisë.

“Reflektoni rreth planeve pas kësaj periudhe, a luani ndonjë lojë me fëmijët. Ju e dini më së miri! Por assesi mos dilni pa nevojë.

Nëse mund të themi që ka diçka pozitive në këtë çështje, është se të gjithë jemi brenda pa dallim: i pasur e i varfër, i ri e i vjetër, biznesmen e punëtorë. Andaj të bashkuar, ndarazi, do t’ia dalim”, vijon shkrimi i tij.

Numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë është 106./Telegrafi/

Exit mobile version