Site icon Telegrafi

Kastrati dënon politikën diskriminuese të UNMIK-ut

Kastrati kërkon nga ata që kanë mbetur në atë administratë që të mos përpiqen të pengojnë rindërtimin e shtëpive që kanë nisur në veri në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”, apo nga grandet qeveritare, meqë nuk do t’ia dalin.

“Kjo është tentativë për të penguar qytetarët që të rindërtojnë shtëpitë e tyre, të cilat janë të shkatërruara apo të djegura gjatë luftës. Në të njëjtën kohë kjo administratë ka lejuar dhe lejon që të ndërtohen ndërtesa kolektive nga Qeveria e Serbisë në pronat e blera prej shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Kastratit.

Kreu i Komunës së Mitrovicës thekson se qëndrimi i tillë i kësaj administrate në veri nuk është risi, meqë prej përfundimit të luftës është udhëhequr një politikë që ka rezultuar me spastrim etnik të shumë familjeve shqiptare.

“Ata që bëjnë shkresa të tilla në emër të UNMIK-ut, duhet të jenë të vetëdijshëm se janë duke e cenuar rëndë kredibilitetin e OKB-së, meqë janë duke bërë një politikë tendencioze dhe të njëanshme deri në ekstrem”, tha Kastrati.

Sipas tij, shtëpitë që janë duke u rindërtuar në veri nuk kanë për qëllim frikësimin e të tjerëve, por krijimin e kushteve për kthimin e atyre që janë pa strehë. /Telegrafi/
 

Exit mobile version