Ministri i brendshëm i Serbisë, filorusi patologjik Aleksandër Vulin, deklaroi në 11 mars 2021 se krimineli ndërkombëtar i luftës, Sllobodan Millosheviq, “meriton respektin e Serbisë, të serbëve dhe të gjithë atyre, që respektojnë luftëtarët e lirisë”.
Qeveria serbe shpall kështu zyrtarisht kasapin e Ballkanit si “luftëtar të lirisë”.
A e dëgjoi kush në BE?
A ka veshë diplomacia e BE-së?
Shteti serb që ndërmori katër agresione të përgjakshme kundër popujve joserbë në ish-Jugosllavi, pretendon tani se i paska bërë masakrat dhe gjenocidin kundër popujve të tjerë ”për liri dhe i udhëhequr nga luftëtari i lirisë, Millosheviqi”, i cili u gjykua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës si kriminel lufte.
Ky nuk është revizionim i historisë, por është kërcënimi për të përsëritur agresionet serbe “të lirisë” kundër popujve të tjerë në Ballkan. Dhe, Serbia është shtet kandidat i BE-së e cila i ka hapur bisedimet e anëtarësimit.
Duhej të kishte rënë gongu i alarmit në Bruksel, por hiç.
Dashuria për Serbinë apo për Rusinë ua ka mbyllur gojën dhe veshët Lajçakëve të Brukselit. Sepse nuk pipëtinë ata as kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i Millosheviqit, sfidoi Ballkanin dhe BE-në më 15 shkurt 2021 me deklaratën për Serbinë e Madhe prani të zëvëndëskryeministrit rus.
Mirë BE-ja nuk ka veshë të dëgjojë, po Tiranës dhe Prishtinës kush ua thau duart të bëjnë protesta zyrtare për këtë blasfemi historike serbe antishqiptare të të dy krerëve serbë?