Telegrafi

Kasami-Yee: Diskutojnë për zhvillimet e fundit në vend

Delegacion i Lëvizjes Besa, i kryesuar nga kryetari, Bilall Kasami, dhe deputetët Afrim Gashi dhe Fadil Zendeli, kanë realizuar takim me Hoyt Brian Yee, Zv.Ndihmës Sekretari i shtetit të SHBA-ve pёr Evropё dhe Euro-Azi.

Ne këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, me ç’rast përfaqësuesit e BESËS e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve në Kuvend dhe kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike.

“Përfaqësuesit e Besës e kanë njoftuar zyrtarin e lartë për rolin konstruktiv që ka luajtur Besa në gjithë këtë proces dhe për angazhimin e saj në zhbllokimin e këtij ngërçi politik.

Me këtë rast Lëvizje BESA ka theksuar se ajo mbetet e përkushtuar më zgjidhjen e krizës, duke bërë thirrje që të respektohet vullneti i shumicës, që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet e shtetit dhe kështu të fillojë realizimi i reformave të domosdoshme që do ta rikthenin vendin në agjendën euro-atlantike”, – thuhet në njoftimin e Lëvizja BESA./Telegrafi/