Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në konferencën e sotme për shtyp ku ka raportuar për 100 ditët e para, ka ngritur dyshime për qasje tendencioze të disa strukturave të policisë në Tetovë ndaj komunës.
Kasami tha se SPB Tetovë ka anashkaluar disa nga kërkesat e komunës që kanë të bëjnë me vendosjen e rendit në komunikacion, gjë e cila sipas tij nuk ka ndodhur me udhëheqësinë paraprake të komunës.
“Ne kemi tani situatë kur kërkojmë apo informojmë Sektorin për Punë të Brendshme për punët që duhet t’i bëjnë dhe për disa raste ende nuk kemi përgjigje. Nuk kam vërejtje ndaj përgjegjësit të komunikacionit por unë kam vërejtjet dhe dyshimet e mia se në kuadër të SPB Tetovë ka tendenca që të sabotohet puna e Komunës së Tetovës. Nuk kam ende argumente me të cilat do të dal para opinionit por kur me të vërtetë do të bëhet problematike për qytetarët ne do ta njoftojmë opinionin”, tha Bilall Kasami.
Ndyshe, gjatë raportimit për 100 ditshin e parë të qeverisjes, Kasami tha se më se voni pas dy muajsh do të dihet se cila do të jetë zgjidhja e problemit me qentë endacak në Tetovë, duke shtuar se Komuna e Bërvenicës ka refuzuar që qendra për strehimin e qenve endacak të jetë në territorin e saj.
Ndër tjera, Kasami tha se brenda 100 ditëshit të qeverisjes së tij ka arritur të shlyej 1 milion euro nga borxhi total i komunës.