Site icon Telegrafi

Kasami për zbukurimin e qytetit: Nuk është prioritet pasi nuk kemi fonde të mjaftueshme

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpjeguar pse nuk po planifikon zbukurimin e qytetit për festën e Vitit të Ri.

Ai tha se zbukurimi i qytetit nuk është prioritet, pasi për shkak të problemeve të trashëguara nuk u mjaftojnë paratë.

“Kemi probleme me ujësjellësin, bllokimin e trafikut, pastrimin e qytetit. Jo derisa të arrijmë të stabilizojmë financiarisht qytetin, derisa të arrijmë të menaxhojmë me sukses detyrimet bazë të komunës lidhur me mirëmbajtjen e objekteve publike, pastrimin e qytetit, furnizimin me ujë të mjaftueshëm, rregullimin e infrastrukturës bazë”.

“Nuk e shohim nevojën që të shpenzohen mjete për çështje që sigurisht janë të rëndësishme për qytetin, por që nuk janë të nevojshme”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami.

Ai bëri apel që të mos festohet me fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike.

Ndërsa SPB Tetovë ka paralajmëruar gjoba rigoroze deri në 250 euro për këdo që ndez fishekzjarrë në vende publike.

Policia kujton se për blerjen dhe shpërndarjen e lëndëve piroteknike, sipas Kodit Penal, mund të merret dënim me burg mbi 5 vjet./Telegrafi/

Exit mobile version