Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, sot në selinë e partisë së tij ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën ka dhënë vlerësimet e tij për referendumin e sotëm.
Ai tha se partia e tij është përballur me vështirësi për të ftuar qytetarët të votojnë “pro” në referendum, megjithatë ai tha se kanë arritur maksimalisht që të mobilizojnë qytetarët të votojnë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Nga dalja që kemi parë në vendbanimet me shumicë shqiptare, u dëshmua edhe njëherë përcaktimi PRO NATO dhe BE i shqiptarëve dhe ky përcaktim i shqiptarëve është obligim i joni si parti politike që të mos lejojmë që dikush të shkelë mbi vullnetin e pastër të shqiptarëve këtu në Maqedoni”.
“Pavarësisht se ky proces nuk kaloj cenzusin e pritur prej 50% plus 1, qytetarët e vendit kanë dërguar një mesazh politikës, që për të ardhmen e Maqedonisë duhet të votojnë ata që i ka zgjedhur popullit duke marrë përgjegjësinë politike në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”.
“Lëvizja Besa tashmë është e përgatitur për fazën që vijon, pra atë të ndryshimeve kushtetuese ku do japim sugjerimet dhe këndvështrimet tona për të bërë korrigjimet dhe saktësimet e nevojshme për të patur një kushtetutë e cila do garantojë barazinë e plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe do ndërtojë të ardhmen e sigurtë evropiane të këtij vendi në NATO dhe BE”, tha Kasami./Telegrafi/