Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot ka mbajtur konferencë për shtyp në lidhje me punët e kryera gjatë punës së tij një vjeçare në krye të komunës.
Kasami deklaroi se me gjithë vështirësitë dhe presionet me të cilat është përballur, si dhe me borxhin e trashëguar miliona eurosh, ka arritur të trasojë me sukses rrugën që e ka synuar – një qytet modern që zhvillohet dhe bëhet një vend më i mirë për të jetuar për të gjithë.
“Gjatë kësaj kohe ne kemi arritur që të shlyejmë një pjesë të borxhit, dhe në të njëjtën kohë kemi realizuar edhe projekte të reja! Shlyerja e borxhit ishte ndër prioritetet tona kryesore. Të kthejmë një pjesë të borxhit, të zhbllokojmë komunën dhe të realizojmë projekte. Kështu ne arritëm të shlyejmë mbi 3 milionë euro borxh të trashëguar, por në të njëjtën kohë kemi vazhduar me intensitet të shtuar me realizimin e projekteve infrastrukturore”.
“Gjatë këtij viti ne punuam intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës. Vizituam çdo lagje dhe filluam punën – rindërtuam rrugët, sanuam çdo dëmtim të infrastrukturës rrugore, siguruam më shumë vende parkimi, liruam hapësirën publike të uzurpuar. Tani qyteti po ndryshon fytyrë, përfunduam plotësisht projektin për rrugën “Strasho Pinxhur”, e cila tashmë duket si edhe e meriton një qytet urban, me kanalizim të ri atmosferik dhe fekale, trotuare të reja, gjelbërim, ndriçim. Rikonstruim i plotë është bërë edhe në rrugën “Sami Frashëri”, me asfalt të ri, ujëra të zeza atmosferike dhe fekale tërësisht të reja dhe ndriçim të ri”, deklaroi Kasami.
Ai tha se aktualisht po punojnë për projekte të tjera, si rikonstruimi i rrugëve, mbushja e gropave, vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale të komunikacionit.
“Gjithashtu, administrata jonë ka arritur që në afat rekord të përfundojë gati të gjithë procesin e legalizimeve të cilat ishin të lëna pas dore dhe zvarriteshin nëpër sirtarë të ndryshëm për plot tetë vite. Gjetëm 3268 lëndë të pa proceduara me vite të tëra, ku për një afat prej gjashtë muajsh përgatitëm 1334 përfundime, 235 pëlqime urbanistike, 212 aktvendime, 349 të cilët duhet të merr vendim këshilli, 311 lëndë në proces të ankimimit duke u shqyrtuar nga juristët, 379 të realizuara në kadastër dhe një numër të madh të lëndëve u është kryer terreni”, tha Kasami.
Ai ka folur edhe për problemi me qentë endacak, ndërsa tha se Komuna e Tetovës është ndër të parat që i është qasur me seriozitet zgjidhjes së këtij problemi.
“Për këtë përgatitëm projekt për kapjen dhe trajtimin e këtyre qenve të cilin e ka fituar shoqata “Amos Shelter”. Deri më tani janë kryer aksionet e para për kapjen dhe trajtimin e qenve endacak. Në të ardhmen do të vazhdojmë edhe më tej me këtë projekt, i cili si qëllim ka zgjidhjen e këtij problemi disa dekadash”, tha Kasami.