Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka reaguar në lidhje me ngjarjet e sodit në Kuvendin e Kosovës, ku u përleshen fizikisht deputetët e pozitës dhe opozitës.
“Pamjet e sotme të dhunës në Kuvendin e Kosovës na shqetësojnë të gjithëve dhe janë tërësisht të papranueshme për një shtet dhe shoqëri demokratike. Kosova ndodhet përpara sfidave të mëdha, prandaj ngjarje të tilla të pahijshme vetëm mund t’i shpërqendrojnë energjitë për të çuar përpara procese të rënda dhe me përgjegjësi institucionale”, shkruan Kasami në profilin e tij në Facebook.
Kasami thekson se Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i kësaj përgjegjësie dhe tempulli i debatit demokratik dhe jo i dhunës.
“Në kohën kur Kosova po shkon drejt stabilizimit të veriut dhe shtrirjes së sovranitetit edhe në atë pjesë të tërësisë territoriale, më tepër se kurdoherë ka nevojë për unifikim të forcave politike, për debat produktiv dhe jo për destabilizim dhe dhunë në parlament”, shkruan Kasami.
Kosova, shton ai, ka nevojë për debat përmbajtësor dhe për fokusim të energjive që shkojnë në drejtim të përforcimit të subjektivitetit dhe sovranitetit të saj të plotë ndërkombëtar./Telegrafi/