Bilall Kasami nga Lidhja Europiane për Ndryshim thotë se në rast se deri në fund të vitit nuk plotësohet kërkesa e tyre për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, do të radikalizojnë shfaqjen e pakënaqësisë.
Kasami tha se si bllok opozitar kanë fuqinë që të mbledhin 10.000 qytetarë para Kuvendit, ndërsa pohoi se në atë rast do të shqyrtohej mundësia që mos të lejohej hapja e kutive të votimit në Çair, Tetovë dhe Zhelinë.
“Ne do të shikojmë të gjitha format tjera, duke nisur nga bojkotimi i Kuvendit, protestat, bllokada e Kuvendit, deri në atë të fundit që e kemi analizuar dhe e shqyrtojmë si mundësi, që në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare, në këtë rast Tetovën, Zhelinën dhe Çairin, mos të lejojmë që ditën e zgjedhjeve të hapen kutitë e votimit.
Nuk jemi opozitë me kapacitet të pamjaftueshëm për të mbrojtur të drejtën tonë, nuk mundet një opozitë me 3 parti politike, me tre komuna me 5-6 deputetë në Kuvend, të ia mohojnë një të drejtë. Ne kemi mundësi 10.000 qytetarë t’i nxjerrim para Kuvendit”, tha Kasami.