Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një intervistë për revistën Shenja ka thënë se partia e tij nuk ka as edhe një interes më të vogël që të bëhet pjesë e një qeverie që do të bëhej me politikanë të inkriminuar dhe të dyshuar nga Prokuroria Speciale, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk kemi as edhe një interes më të vogël që të bëhemi pjesë e një qeverie që do të bëhej me politikanë të inkriminuar dhe të dyshuar nga Prokuroria Speciale. Në të kundërtën, do ta pranojmë rolin e opozitës dhe mendojmë se edhe nga ai pozicion mund të ndihmojmë shumë. Ju mund ta shihni edhe këto ditë se 5 deputetët e koalicionit “Rilindje me Besë” janë gati se vendimtarë për qeverinë e ardhme, që nënkupton se ata do të jenë çelës edhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Bilall Kasami.
Duke folur mbi takimin e thirrur nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, Kasami tha se ata nuk dëshirojnë të legjitimojnë dikë që akoma dëshiron të shtiret si mbrojtës i interesave shqiptare./Telegrafi/