Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi sot në konferencë të përbashkët për shtyp, kanë kërkuar që sa më parë të hidhet në votim faza e parë e ndryshimeve kushtetuese.
Në deklaratën e përbashkët, ata kërkuan që gjithashtu të vendoset në votim amendamenti për definimin e gjuhës shqipe, si dhe amendamenti për vjetërsimin e lëndëve penale. Kasami, Mexheti dhe Gashi thanë se nëse nuk sigurohen votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, atëherë duhet të shpallen zgjedhje të reja, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Duam të përcjellim një mesazh të rëndësishëm në prag të ndryshimeve kushtetuese. Për ne nuk ka dyshim se anëtarësimi në BE është përcaktimi më i lartë strategjik. Derisa flasim për këtë, duam të përcjellim disa mesazhe. Kërkojmë që kryetari i Kuvendit sa më parë ta hedh në votim nevojën për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që ta kalojmë fazën e parë dhe të kalojmë në pjesën më të rëndësishme të këtij procesi. Gjithashtu të vendos në votim amendamentin për heqjen e definimit ofendues të gjuhës shqipe, si dhe amendamentin për vjetërsimin e lëndëve penale”.
“Ftojmë të gjitha partitë të votojnë për nevojën e ndryshimeve kushtetuese dhe amendamentet e propozuara. Nëse në afat të shkurtë nuk sigurohen votat e nevojshme, do të bëhet e qartë se kjo përbërje nuk ka kapacitet për të bërë ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk ka shumicë për të votuar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, ftojmë që të votojmë për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja kuvendare”, tha Gashi i cili e lexoi deklaratën e përbashkët./Telegrafi/