Mesfushori shqiptar Pajtim Kasami pritet që karrierën ta vazhdojë në Serie A.
Mediumet italiane kanë raportuar se interesim për shërbimet e Kasamit ka treguar skuadra e Genoas.
Uebfaqja “Tuttomercatoweb” ka shkruar se ekipi italian është i gatshëm t’i paguajë Olympiacosit dëmshpërblim prej pesë milionë eurosh për Kasamin.
24-vjeçari ka kontratë me klubin grek deri në vitin 2018, por është i gatshëm të largohet për t’u kthyer në Serie A. Ai prej vitit 2014 është pjesë e Olympiacosit dhe ka fituar dy tituj kampioni të Greqisë.
Kasami krahas Olympiacosit ka bërë karrierë edhe te Luzerni, Fulhami, Palermo, Bellinzona. Ai ka qenë pjesë e të rinjve te Lazio, Liverpooli e Zuerichu.
Kasami ka 12 paraqitje për Përfaqësuesen e Zvicrës.