Telegrafi

Kasami dhe Taravari kërkojnë që pushimi dimëror për nxënësit të zgjasë dy muaj

Kryetari i Tetovës Bilall Kasami dhe ai i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, kanë dalë me propozim për të kursyer energji elektrike. Ata i kanë propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që pushimi dimëror për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore të zgjasë dy muaj.

Kasami mendon se pushimet dimërore në shkolla duhet të bëhen dy muaj, jo vetëm në kohë të krizës energjetike por edhe më vonë, me qëllim që kursimi të jetë më i madh.

“Ne përgatisim një shkresë të njëjtë deri te Qeveria që kjo të vlejë për të gjitha shkollat pasi që vlerësojmë që jo vetëm tash në krizën energjetike që gjendet shteti dhe duhet kursejmë, por vlerësojmë se është një gjë e duhur dhe përvojat më të mira evropiane ku pushimi vjetor duhet të zgjatet më shumë që edhe të kenë mundësi fëmijët të planifikojmë pushimet e tyre, por tash në kuadër të krizës energjetike është më i përshtatshëm që unë do të jem në komunikim edhe me kryetarin e Komunës së Gostivarit që të njëjtën iniciativë ta vazhdojmë edhe përmes bashkësive të vetëqeverisjes lokale”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Edhe kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari tha se propozimin tha se e ka dërguar zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit, ndërsa këtë ide e kanë përkrahur edhe shumë kryetarë të komunave të tjera.

“Ne e dhamë një propozim si komunë e Gostivarit deri në të gjithë komunat dhe në BNjVL por edhe në Ministrinë e Arsimit që pushimi vjetor dimëror të zgjasë dy muaj, këtë e kemi bërë edhe zyrtarisht dhe kam pasur thirrje nga plot kryetarë të komunave të tjera dhe kjo do të ishte edhe apeli im tek Ministria e Arsimit që kërkesën ta rishqyrton dhe pushimi dimëror me të vetmin qëllim që të kursejmë nga energjia elektrike dhe të bëhet pushimi vjetor në muaj dhjetor dhe janar kur janë muajt më të ftohtë, konkretisht në komunat tona”, pohoi Arben Taravari.

Javë më parë Komuna e Gostivarit mori masa për kursim të rrymës.