Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, ka kryer një vizitë zyrtare në kompaninë austriake “Saubermacher,” e cila ka marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Kasami ka shprehur optimizmin e tij për të ardhmen e riciklimit të mbeturinave në qytet, duke përcjellur besimin e tij se ky bashkëpunim do të sjellë ndryshime pozitive për mjedisin dhe komunitetin lokal.
Në kuadër të vizitës, delegacioni i Komunës së Tetovës, i kryesuar nga Kasami, ka vizituar fabrikën e “Saubermacher” në qytetin austriak të Grazit. Ata kanë pasqyruar një interes të veçantë për të kuptuar funksionimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe ambientet në të cilat do të menaxhohet ky proces në Tetovë.
“Në takim u bisedua për punën dhe aktivitetet që kjo kompani do t’i kryejë në Tetovë, për thellimin e bashkëpunimit dhe përcaktimin e detyrave që dalin nga kontrata ndërmjet komunës dhe kësaj kompanie. Së bashku me përfaqësuesit e kompanisë delegacioni i Komunës së Tetovës ka vizituar edhe fabrikën për riciklimin e mbeturinave dhe shpresojmë dhe besojmë se në një të ardhme të afërt do ta shohim edhe në Tetovë”, tha Kasami, njoftojnë nga Zyra për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Tetovës.
Në anën tjetër, kompania austriake “Saubermacher” ka filluar grumbullimin dhe depozitimin e mbeturinave në Tetovë që nga 1 janari i këtij viti, duke ndjekur një model partneriteti publiko-privat. Në seancën e Këshillit të Komunës më 12 janar, pritet të miratohet çmimore për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës. /Telegrafi/