Site icon Telegrafi

Karvani i prodhimeve vendorë do të përshkoj 15 shtete

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka nisur Projektin tradicional 13 vjeçar “Javët e Biznesit Kosovar” me moto: “Unë konsumoj prodhime vendore, Po Ju!” i cili do të vazhdoi deri më 17 shkurt 2016.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini tha se projekti realizohet me qëllim të ngritjes së vetëdijes për konsumimin e prodhimeve vendore dhe promovimi tash 13 vjet ka rritur në masë të madhe vetëdijen për konsumim të prodhimeve kombëtare.

“Prodhimet vendëse janë më të mira se ato të huajat dhe prodhuesit duhet të rrisin edhe më shumë cilësinë e tyre me qëllim që pos zëvendësimit të prodhimeve të importuara, duhet të rrisin edhe eksportin në vendet tjera ku edhe ka kërkesa për prodhimet e Kosovës”, tha Shahini.

Sipas tij promovimi dhe vetëdijesimi për konsumimin e prodhimeve vendëse, pos që do të bëhet në Kosovës, karnavali I prodhimeve vendëse do të bëhet edhe në mbi pesëmbëdhjetë shtete tjera, ku do të promovohen mbi pesë mijë prodhime kombëtare e do të shijohen nga mbi 50 mijë konsumatorë.

“Konsumimi i prodhimeve vendëse, pos që rrit punësimin, në anën tjetër rrit edhe buxhetin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Nacionalizëm është konsumimi i prodhimeve vendore dhe të gjithë duhet të bashkohemi për konsumimin e prodhimeve vendore e pa të cilat vështirë se mund te zhvillohemi”, tha Agim Shahini.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik i vendit, do të mund të ndodh vetëm me konsumimin e prodhimeve vendore. Kryetari i AKB-së ka kërkuar nga institucionet përkrahje më të madhe për prodhuesit vendës, nga të cilët do të përfitojnë të gjithë.

Besian Mustafa, nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në MTI, tha se institucionet e vendit kanë bërë mjaft për promovimin, konsumimin dhe zhvillimin e prodhimeve vendore.

Sipas tij KIESA,MTI-ja dhe institucionet tjera janë të gatshme të krijojnë lehtësira për bizneset vendore, me qëllim të rritjes së tyre.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës, kërkoi nga qytetarët që të konsumojnë sa më shumë prodhimet vendore, me qëllim të zhvillimit të shtetit.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanovcit, tha se konsumimi i prodhimeve vendore ka rëndësi të madhe për zhvillimin e trojeve shqiptare. Ai kërkoi që në Kosovë prodhimet nga Kosova Lindore të konsumohen edhe më shumë me qëllim të zhvillimit të asaj ane.

Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, kërkoi nga të gjithë shqiptarët që më mirë të konsumojnë prodhimet kombëtare sesa ato të importuarat. “Me konsumimin e prodhimeve shqiptare, do të rriten edhe bizneset kombëtare, mirëqenia dhe zhvillimi i trojeve”, tha Hoxha.

Në panair kanë marr pjesë dhjetëra kompani nga anë të ndryshme të cilat para konsumatorëve kanë promovuar prodhimet e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version