Kartelat, shenjat e identifikimit, i bartin njerëzit publikë, punonjësit në zyra të ndryshme, institucione shtetërore e jo shtetërore. I bartin diplomatët, politikanët, gazetarët, prokurorët, gjykatësit, avokatët…
Çfarë janë kartelat, librezat, e avokatëve në Kosovë ?
Kartelat e avokatëve janë " (in)valide", degraduese, komprometuese për shtetin. Nuk përmbajnë mbishkrimin shtetëror: REPUBLIKA E KOSOVËS?!
Shenja pa këtë mbishkrim është nule, s’ vlen. Institucioni që përfaqësojnë avokatët, i bie "flakaresh" shtetit. Jo vetëm prokurorët, gjykatësit, por edhe avokatët që operojnë publikisht në sallat e gjykimit, duhet të kenë shenjën e shtetit, patjetër. Ndryshe, kjo do të ishte non sens juridik.
Dikur të rinjtë tanë për një parullë me dy germa – KR, të shkruar në dërrasë të zezë, muri, rrugë të asfaltuar e gjetiu, i ka "kapur" paragrafi, janë dergjur në burgje. E, sot, Oda bën politikë. Heq parashtesën "… të Republikës…". Pse?
Luhet loja e politikes. Vjet me parashtesën "të Republikës…", sivjet pa të. Bëhet "rikuerci" në kohën e paraluftës. Ndoshta, për kreun e këtij institucioni, Musë Dragushën, kjo është "cikërrimë" e që s’ është kështu. Mbase, Dragusha mund të arsyetohet se nuk e ka shkelur ligjin.
Ligjvënësit i shpëtojnë gabimet, nuk e përmend mbishkrimin shtetëror sidomos në ligjet që kanë të bëjnë me "njerëzit e ligjit", siç janë edhe avokatët. Për habi, në Ligjin për avokatinë, i nxjerrë në nëntor 2008, në asnjë paragraf nuk përmendet parashtesa "të Republikës së Kosovës…" !
Në nenin 5 të këtij Ligji, shkruan: " Regjistrimi i Avokaturës bëhet pas paraqitjes së kërkesës me shkrim në Odën e Avokatëve të Kosovës…".
Ligjet s’ lexohen ad literam, fjalë për fjalë, nuk interpretohen verbërisht. Ata që e bëjnë këtë janë dogmatë.
Po ta bënin gabimin e përmendur udhëheqësit e ndonjë kompanie, ndërmarrje private, kjo, thënë kushtimisht, mund të "përbihet". Por, assesi nuk përpihet, nuk arsyetohet veprimi i njerëzve të ligjit, avokatëve.
Më ka lënë përshtypje rrëfimi i shkrimtarit Daut Demakut në emisionin "Oxygen" të RTK-së, më 15 janar. Demaku tha: Franca ka nxjerrë një akt nënligjor sipas të cilit është ndaluar të përdoret fjala angleze "email". Nëse ndokush e përdorë këtë fjalë, personi fizik dënohet me 1000 euro, ndërsa personin juridik – 10 mijë euro, spikati Demaku.
Te ne Oda e Avokatëve nuk përdorë fjalë të huaj, por e heq të vetën, bën të ashtuquajturën "ekonomizim" të fjalëve. Kësaj i thonë:"Uti, non abuti" (Përdorë, por mos shpërdorë). Pra, Oda shpërdorë mbishkrimin shtetëror!
Po të aplikohej ndëshkimi si në Francë, OA do ta paguante shtrenjtë llogarinë! Megjithëkëtë, nganjëherë, ndëshkimi moral është më i rëndë, se ai ligjor.
Ata të Odës së Avokatëve, po bëjnë politikë sipas asaj: Të mos figuroj mbishkrimi shtetëror, ngase serbët kanë aversion, s’ bën t’i hidhërojmë. Dhe zgjidhja:" As sipas tyre, as sipas nesh – të përmendet vetëm Kosova, mjafton…".
Ç’ është ky marifet, kush i porositi këto kartela ?! E bëri këtë porositësi të bëj politikë, t’u hyjë në hatër disa serbëve, anëtarë të Odës së Avokatëve, apo një shëmti e këtillë ndodhi nga mosdija ? Ky veprim nuk arsyetohet, ngase avokatët janë të mençur, i "dinë ligjet", të tjerëve u mbajnë ligjërata për Kushtetutën, ligjet.
Për epitetin e Republikës sonë është vrarë doajeni i avokatëve Bajram Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij. Kelmendi, siç dihet në kohën kur Kosovës i dilte tymi e flaka, vajti në Hagë për ta dërguar kallëzimin penal ndaj Sllobodan Millosheviqit… Janë vrarë edhe avokatët, profesori i të drejtës romake dr. Bardhyl Çaushi, Ismet Gashi, Qazim Tolaj e të tjerë. Në listat e të zhdukurve gjendet tetovari që kishte vendbanimin në Ferizaj, avokati Alishefik Spahiu…
"Vjet i bartnim kartelat e avokatëve me mbishkrimin shtetëror ‘… të Republikës së Kosovës’, ndërsa sivjet është hequr kjo parashtesë…", më njoftoi avokati prizrenas Fatmir Celina. Një pohim të këtillë e konfirmoi edhe avokati tjetër nga Prishtina, Tomë Gashi.
Avokati Celina nuk e ka të qartë përse në kartela dhe licencat e tyre është hequr parashtesa e përmendur. Tregoi se për këtë çështje është mbajtur një mbledhje e avokatëve, e karakterit rajonal, në Prizren, më 25 janar në të cilën është shprehur mospajtimi me shenjën e diskutueshme.
Ndërkaq, avokati Tomë Gashi shprehet se kjo çka po ngjet me OA është shokuese, poshtërsi, marri. "Unë s’do ta barti librezën pa mbishkrimin shtetëror, s’do ta barti, sepse për epitetin e Republikës së Kosovës janë vrarë edhe kolegët tanë nga okupatori serb".
Sipas tij, dikush po bën politikë me këto kartela, politikë kjo që s’i ka hije Odës. Kartelat pa mbishkrimin e përmendur, pra edhe licencat, janë denigruese, komprometuese për shtetin. "Ky marifet, s’mund të mbetet kështu me çfarëdo çmimi, qoftë edhe duke i hedhur librezat siç i kanë hedhur shqiptarët librezat e partisë, LKJ-së, më 1989", ka thënë Gashi.
E mira e së mirës është të rikthehet shenja e Odës, me mbishkrimin shtetëror, të mos shkaktohen përçarjet. Oda të lëroj statutin e saj, të heq, të korrigjojë paragrafët që kanë të bëjnë me ideologjizma, vese të së kaluarës.