Telegrafi

Karl Nehammer do të jetë kancelari i Austrisë

Pas 24 orësh trazirash politike, Partia Popllore në pushtet e Austrisë e ka zgjedhur ministrin e Brendshëm, Karl Nehammer për tu bërë lideri i partisë si dhe kancelar i vendit.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, Nehammer do të jetë zgjedhja e tretë e partisë për detyrën e kancelarit brenda disa javësh, pasi Sebastian Kurz u largua nga pushtetit në muajin tetor.

Kurz momentalisht është nën hetim pasi u përfshi në një skandal korrupsioni.

Të enjten ai dha dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të partisë duke u shkëputur kështu krejtësisht nga politika.

Në po të njëjtën ditë dha dorëheqje edhe Alexander Schallenberg që ishte në pozitën e kancelarit të Austrisë pas Kurz.

Schallenberg tha se ishte i bindur se vendi duhej të drejtohej nga i njëjti person që mban pozitën e kreut të partisë në pushtet.

Partia Popullore (ÖVP) është në koalicion me të Gjelbërit, të cilët tërhoqën mbështetjen e tyre për Kurz kur prokurorët thanë se po hetonin atë. /Telegrafi/