Site icon Telegrafi

Karkaleci bën kërdinë në Gjirokastër, afro 80 hektarë të mbjella të dëmtuara

Gjatë këtyre ditëve të nxehta vere për fermerët e Qarkut të Gjirokastrës shqetësim është dëmtimi i tokave bujqësore dhe të mbjellave nga karkaleci.

Janë rreth 80 ha sipërfaqe, kryesisht në kullota, të cilat janë dëmtuar nga tufat e karkalecave duke shkaktuar probleme ekonomike për fermerët dhe blegtorët.

“Ka filluar të lëvizë, të zgjerojë vatrat që i kemi në disa rajone është pjesa e Gjirokastrës, e Libohovës, në zonë e Labovës, në zonën e Dropullit në pjesën kodrinore, kemi disa vatra të vogla të kufizuara në fushë, po ashtu kemi në Përmet në zonën e Bablonjës gjithashtu ka karkalec”, tha Balil Bineri, përgjegjës i ekstensionit bujqësor në Gjirokastër.

Fermerët dhe specialistë e bujqësisë kanë ndërhyrë në disa zona me kimikate dhe pesticide për të minimizuar dëmet që shkaktojnë karkalecat. Mes të tjerash apelohet për ndërhyrje në kohë për shpëtimin nga dëmtimi të sipërfaqeve të mbjella si dhe evitimin e dëmeve ekonomike.

“Popullatat e këtij viti janë krahasimisht më të vogla me vitet e mëparshme, pra kurba e këtij dëmtuesi është në rënie sidoqoftë ne jemi munduar që ti informojmë fermerët, kemi përgatitur edhe një fletpalosje për mënyrën e mbrojtjes së kulturave, pra ata duhet ti luftojnë ato vatra që janë në afërsi të kulturave bujqësore pasi deri tani karkaleci ka dëmtuar bimësinë e kullotave”, tha Balil Bineri, përgjegjës i ekstensionit bujqësor në Gjirokastër.

Zhvillimi i turizmit po nxit edhe prodhimin bujqësor vendas në Qarkun e Gjirokastrës ndërsa fermerët po investojnë në sektorin e agroturizmit./Euronews Albania

Exit mobile version