Kardiologu Gani Bajraktari është suspenduar nga puna, e që sipas SHSKUK-së kjo është bërë për shkak se ai ka referuar pacientët nga QKUK-ja për kurim në institucione private shëndetësore. Por, vet Bajraktari e mohon këtë.
Kardiologu Gani Bajraktari, është suspenduar nga puna në Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Përmes një përgjigje telefonike, drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, tha se një vendim i tillë është marr, pasi Bajraktari ka referuar një pacient nga QKUK-ja në klinikë private për trajtim shëndetësor. Lënda e tij është dërguar në komision disiplinor i cili po e trajton këtë rast.
Mirëpo, për suspendimin e tij kardiologu Gani Bajraktari, thotë se nuk ka qenë fare në dijeni dhe se këtë lajm e ka kuptuar nga mediat.
“Nuk kam as lajmërim as me gojë as me shkrim, e mora vesh nga mediat. Nuk e di as për çfarë bëhet fjalë. Ky është tmerri i Zotit. Një person që është në pushim vjetor, pa ditur për rastin suspendohet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Gani Bajraktari.
Ai mohon të ketë referuar pacient në klinika private, dhe thotë se e gjithë kjo po bëhet si shenjë hakmarrje nga një studim që ai ka bërë për klinikën e Kardiologjisë Invazive.
“Këto i kanë bërë pas daljes së skandalit më të madh në mjekësi. Rritja e vdekshmërisë 50% nga 2015-2017, i ka shqetësuar tej mase ata, dhe motivacioni i tyre është që të ma mbyllin gojën që të mos flasë, por nuk do ta arrijnë këtë”, shtoi më tej Gani Bajraktari, përcjell Telegrafi.
Bajraktari, edhe vitin e kaluar ishte suspenduar tre muaj nga puna, nga Komisioni Disiplinor pasi ndaj tij ishin ngritur akuza se ai kishte referuar pacient për trajtim në institucione private shëndetësore. /Telegrafi/