Site icon Telegrafi

Karadzic: Kosova, të mos i përdorë më simbolet shtetërore

Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit (FSS), Tomislav Karadzic ka kërkuar që Kosova të mos e përsërit më gabimin, sipas tij, që t’i përdor simbolet shtetërore në ndeshjet e ardhshme miqësore që do t’i zhvillojë, raporton Express.

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës, e cila mori pjesë së fundmi në turneun e Zvicrës, i përdori simbolet shtetërore si flamurin, himnin e stemat, gjë të cilën nuk ia kishte lejuar Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), kur e lejoi të zhvillojë ndeshje miqësore me ekipin e të rinjve dhe atë të femrave.

Ky veprim i kosovarëve e mllefosi tej mase palën serbe, e cila reagoi në FIFA për këtë punë. Tash, shtëpia e futbollit serb shpreson që një gjë e tillë të mos ndodh më.

“Ne ishim të njoftuar nga organizatorët për turneun e zhvilluar në Zvicër. Ata kanë ndier keqardhje dhe kanë kërkuar falje, pasi na thanë se nuk e kanë ditur. Në mes të personave që e kanë organizuar turneun, ka pasur mjaft shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Zvicër, të cilët kanë përfituar nga situata. Urojmë që këto gjëra të mos përsëriten”, deklaroi Karadzic për mediat serbe.

Ndër të tjera, ai theksoi se zhvillimi i ndeshjes miqësore ndërmjet përfaqësueses së Serbisë dhe Republika Srbska në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës, nuk nënkupton se pala serbe do të lëshojë pe në qëndrimet e saj ndaj Kosovës. /Telegrafi/ 

Exit mobile version