Site icon Telegrafi

Karadxhiq: Nuk luajmë miqësore me Kosovën

Për një miqësore eventuale Kosovë – Serbi, ai pohon se kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova të pranohet në OKB. Karaxhiq flet edhe për mundësinë që Milosc Krasic të luajë për Kosovën, marrëdhëniet me Fadil Vokrrin e gjëra tjera, transmeton Telegrafi.

Skena politike e Serbisë vazhdon ta sundojë futbollin e këtij vendi. E për këtë shkak edhe qëndrimi i Federatës së Futbollit të Serbisë (FFS) është kundër atij të Kosovës. Përndryshe, krerët e futbollit të shtetit serb nuk do të kundërshtorin vazhdimisht daljen në arenën ndërkombëtare të futbollit kosovar. Këtë më së miri e dëshmon kryetari i FFS-së, Tomislav Karaxhiq, i cili e vlerëson si hap pozitiv për Kosovën lejimin e ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen A. Ai thotë se të gjithë të rinjtë kudo në botë kanë dëshirë të luajnë futboll e pse kjo të mos ndodhë edhe me Kosovën. Ndërsa, dëshirë e tij është që politika të mos jetë e implikuar rreth kësaj çështje.

Në një intervistë për gazetën ‘Sport Plus’, Karaxhiq flet edhe për mundësinë që serbi me prejardhje nga Kosova, Milos Krasic një ditë luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.

Si e vlerësoni vendimin e FIFA-s për lejimin e ndeshjeve miqësore për Përfaqësuesen A të Kosovës?
Karaxhiq: Vendimin e FIFA-s e konsideroj si hap shumë pozitiv për futbollin e Kosovës. Kjo për faktin se të gjithë të rinjtë kudo në botë kanë dëshirë të luajnë futboll. Pse kjo të mos bëhet edhe më Kosovën.

Ky sigurisht nuk është qëndrimi i institucionit që drejtoni?
Karaxhiq: Ne dëshirojmë me këtë rast që politika të mos jetë e implikuar rreth kësaj çështje.

Sidoqoftë, Kosova është gatshme për të luajtur një miqësore me Serbinë. Kur do të ndodhë kjo?
Karaxhiq: Kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova të jetë e pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Njëherë për njëherë, kjo nuk ka shanse të ndodhë.

Drejtues të futbollit kosovar i kanë hapur dyert futbollistëve me prejardhje nga Kosova që luajnë për Përfaqësuesen e juaj?
Karaxhiq: Janë futbollistët që vendosin vet se për kë do të luajnë.

Po ju a do t’i lejoni futbollistët me prejardhje nga Kosova që luajnë për Serbinë që t’i bashkohen Kosovës, sikur është Milos Krasic?
Karaxhiq: Nuk besoj që ndonjëri prej futbollistëve që e ka shtetësinë e Serbisë do të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. Të gjithë ata futbollistë që kanë luajtur për Serbinë nuk do të mund të jenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për shkak se këtë nuk e lejojnë rregullat ndërkombëtare.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Fadil Vokrrin?
Karaxhiq: Marrëdhënie shumë shoqërore.

Si e vlerësoni personalitetin e tij?
Karaxhiq: Fadil Vokrri është njeri jashtëzakonisht korrekt. Kur unë kam qenë kryetar i klubit të Partizanit, Vokrri atëherë luante për skuadrën tonë. Unë me të kam marrëdhënie shumë të mira që nga koha kur kemi punuar në të njëjtin kolektiv.

Keni diçka për të shtuar?
Karaxhiq: Edhe të rinjtë e Kosovës veriore duhet të luajnë futboll siç bëhet kudo në botë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version