Rroga më e ulët e një deputeti në Kuvendin e Maqedonisë është 1.335 euro në muaj, edhe pse Kuvendi nuk punon, deputetët nga përbërja e re parlamentare tashmë 72 ditë në mandatin e ri, marrin rroga të rregullta, njofton Meta, përcjell Telegrafi Maqedoni.
‘Ashtu u takon. Një pjesë e atyre kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre paraprake të punës dhe nuk mund t’i lëmë pa të ardhura’, deklaroi Todor Pendarov, këshilltar për marrëdhënie me opinionin në Kuvendin e Maqedonisë, në pyetjen e gazetarëve nëse deputetët marrin rroga rregullisht.
Përndryshe, rroga e deputetëve është tre herë e gjysmë më e lartë se rroga mesatare në Maqedoni, gjegjësisht u llogaritet me koeficient 3,5-sqaron ai.
Sipas informatës së fundit të Entit Shtetëror për Statistika, në dhjetor vitin e kaluar, rroga mesatare ka qenë 23.457 denarë. Nga kjo del se deputetët në muaj marrin minimum 82.100 denarë, gjegjësisht 1.335 euro, ku llogaritet edhe puna e kaluar, dikujt plus 2% e dikujt 10% më shumë. /Telegrafi/