Site icon Telegrafi

Kapja e ekstazisë me vlerë 400 mijë euro, Policia jep detaje: Droga transportohej me autobusë nga Prishtina në Tiranë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë detaje për operacionin e koduar “Punisher 2”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që trafikonte nga Kosova në Shqipëri dhe shpërndante lëndë narkotike ekstazi.

Në pranga ranë pesë persona, dy prej të cilëve shqiptarë të Kosovës ndërsa u sekuestruan 11,300 tableta ekstazi MDMA me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën e drogës.

Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare.

Lexo po ashtu Sekuestrohen 10 mijë doza ekstazi në Tiranë, arrestohen pesë persona, mes tyre dy shtetas nga Kosova

Vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. U sekuestruan gjithashtu një automjet si dhe 5 aparate celulare.

Të arrestuarit janë Mithat Ramadani 30 vjeç, banues në Prishtinë; Besnik Mujeci, 40 vjeç, banues në Prishtinë; Kalem Picari, 24 vjeç, banues në Tiranë; Ambra Myftari 28 vjeçe, banues në Tiranë; dhe Daniel Avdija 26 vjeç, banues në Tiranë. /Telegrafi/

Exit mobile version