Maqedonia e Veriut e ka mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, me çka edhe zyrtarisht i ka filluar negociatat për anëtarësim në Union.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare, Komisioni Evropian menjëherë e ka filluar edhe procesin e skriningut, i cili përmban 35 kapituj. Telegrafi Maqedoni do t’iu informojë për përmbajtjen e secilit kapitull nëpër të cilët duhet të kalojë Maqedonia e Veriut.
Kapitulli i 10-të: Shoqëria informative dhe media
Komunikimi elektronik si pjesë e rëndësishme e informimit të shoqërisë është thelbi i skriningut në këtë kapitull të BE-së ndaj Maqedonisë. Vlerat e konkurrencës në mes mediave dhe kompanive të komunikimit elektronik janë parimet kryesore të ndryshimeve në Maqedoni. Transparenca, rregullat dhe bashkëpunimi mes mediave, institucioneve dhe shoqërisë janë mjetet me të cilat mund të arrihet përmirësim në pjesën e punës së mediave, sipas standardeve Evropiane. Media Plus dhe Media Training janë programet për trajnim që do të duhet të kalojnë mediat në vendet që kërkojnë anëtarësimin në BE.
Ndryshe, përveç kapitujve të BE-së, Maqedonia e Veriut ka nënshkruar edhe protokoll me Bullgarinë, i cili përmban gjithashtu disa rekomandime dhe detyrime, të cilat duhet të plotësohen nga të dy shtetet, për të mos pasur pengesa në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE./Telegrafi/