Maqedonia e Veriut e ka mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, me çka edhe zyrtarisht i ka filluar negociatat për anëtarësim në Union.
Pas konferencës së parë ndërqeveritare, Komisioni Evropian menjëherë e ka filluar edhe procesin e skriningut, i cili përmban 35 kapituj. Telegrafi Maqedoni do t’iu informojë për përmbajtjen e secilit kapitull nëpër të cilët duhet të kalojë Maqedonia e Veriut.
Kapitulli i 23-të: Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie. Krijimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është i një rëndësie të madhe. Paanshmëria, integriteti dhe një standard i lartë gjykimi nga gjykatat janë thelbësore për ruajtjen e shtetit të së drejtës. Kjo kërkon përkushtim të fortë për të eliminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin dhe për të dedikuar burime dhe trajnime të përshtatshme financiare. Duhet të ekzistojnë garanci ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë. Po ashtu, shtetet anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Kërkohet kuadër ligjor solid dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente të parandalimit të korrupsionit. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të të drejtave të qytetarëve të BE-së, siç garantohen nga acquis dhe nga Karta e të Drejtave Themelore.
Ndryshe, përveç kapitujve të BE-së, Maqedonia e Veriut ka nënshkruar edhe protokoll me Bullgarinë, i cili përmban gjithashtu disa rekomandime dhe detyrime, të cilat duhet të plotësohen nga të dy shtetet, për të mos pasur pengesa në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE./Telegrafi/