Zjarri që shpërtheu dje në fshatin Gabar të Kriva Pallankës që zgjati rreth 24 orë, sot përsëri është rindezur edhe atë në katër vende të ndryshme, informojnë nga Njësiti rajonal i zjarrëfikësve – Kriva Pallankë.
Komandanti i NJRZ Kriva Pallankë, Ile Kocevski, tha se para se para se ta shuajnë plotësisht zjarrin, sot pasdite rreth orës 14:00, përsëri kanë marrë njoftim se zjarri është rindezur në fshatin Gabar, në të njëjtin vend ku mbrëmë nga zjarri u goditën rreth 60 hektarë tokë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Zjarri ishte ndezur në katër pika të ndryshme, dhe këta zjarre kishin arritur të bashkohen në një pikë të perbashkët. Ne intervenuam shpejt dhe arritëm të shuajm këtë zjarr, dhe në vendin e ngjarjes kemi arritur të kapim personin që e shkaktoi atë, shtoi Kocoevski.
Zjarrvënësi është kapur dhe është dorëzuar tek organet kompetentë të cilët më pas e kanë dërguar në stacionin e policisë në Kriva Pallankë, për shqyrtim dhe për hetime të mëtutjeshme.
Nga zjarri janë djegur 60 hektar pyje me pisha, dushk, ferra, barishte dhe shkure.
Gjatë shuarjes së këtij zjarri, intervenuan gjithsej katër ekipe nga njësiti rajonal kundër zjarrit nga Kriva Pallanka, dhjetra zjarrëfikës, 20 të punësuar në NP “Pyjet e Maqedonisë”, njësiti rajonal “Osogovo”, një ekip zjarrëfikësish nga Komuna e Rankovcës dhe të punësuar në Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim të qytetit.
Zjarri i sotshëm është zjarri i shtatë me radhë në rrethinën e Kriva Pallankës, i regjistruar vetëm gjatë muajit shtator, ndërsa gjatë gushtit janë regjistruar edhe 27 intervenime të tjera. Vlen të potencohet se në shumicën e rasteve zjarret janë shkaktuar nga faktori njeri./Telegrafi/