Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e një 31-vjeçari për shpërndarjen e kokainës.
Sipas policisë, shtetasi F. B. me banim në Durrës kishte me vete një sasi prej 414 gramë kokainë.
Policia ka publikuar pamjet e arrestimit dhe ka sqaruar se shtetasi pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 500 gramë deri në 2 kg në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, dhe më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të “Zogut të Zi” në Tiranë.
31-vjeçari e shiste një dozë kokainë me vlerën 8,000 lekë [65 euro], policia ka shtuar.
Ai lëvizte nga Durrësi në Tiranë me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u vënë re nga shërbimet e policisë, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit në Facebook.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ka theksuar policia. /Telegrafi/