Site icon Telegrafi

Kapet kreu i një grupi kriminal në Tiranë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor “VERSACE”. Në kuadër të këtij operacioni në pranga ranë 2 persona, njëri prej tyre kreu i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, i dyshuar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Sipas njoftimit të policisë, “në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një presoni të kërkuar, kreu i një grupi të strukturuar kriminal dhe pas një pune të mirë organizuar, nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u finalizua me sukses Operacioni Policor “VERSACE”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. S., 37 vjeç, banues në Tiranë; Xh.M., 35 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë.

“Operacioni u zhvillua në lagjen “Demokracia“ në Qytetin e Mamurrasit, ku në momentin e kapjes, shtetasve A. S. dhe Xh. M., u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip GLOCK së bashku me 4 karikatorë me 60 fishekë luftarak, si dhe 1 armë zjarri pistoletë TT model 54, së bashku me dy karikatorë me 15 fishekë”, theksohet në njoftim.

“Për shtetasin A. S., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin Penal të vitit 2017 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale ” Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara” mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake””, vijon njoftimi.

“Po kështu shtetasit A.S., i kanë mbetur dhe 2 vite e 6 muaj për të vuajtur dënimin në bazë të vendit të gjykatës së Apelit dhënë në vitin 2018, për veprat penale “Falsifikimi i kartëmonedhave”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri, 75 fishekë luftarak, një sasi parash, dy automjete dhe 8 aparate celular. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të kryer nga shtetasi A.S dhe grupi kriminal që ai drejton. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. /TCH/

Exit mobile version