Telegrafi

Kapet dhëndri-hajn

Mashkulli i cili ka mashtruar 40 gra, duke ju premtuar fillimisht se do të martohej me to, e më pastaj ka ikur me stolitë e tyre të arit dhe gjësendeve tjera me vlerë, është arrestuar në shtetin jugor indian Kerala.

Policia ka kapur 36-vjeçarin, PB Prasantha, të ashtuquajtur Nandakumara, pasi që një grua, e cila për obligime martesore ka qenë në Gurvayoor, kishte zbuluar se, një ditë para martesës, ai kishte ikur me gjithë stolitë e saj.

Sipas njoftimit të policisë, Prasanth ka premtuar se do të martojë së paku 40 gra, e me disa prej tyre edhe ka vënë kurorë.

Gratë i ka “zënë” përmes shpalljeve në gazetat lokale duke pohuar se është një ndërmarrës i vogël në qytetin e afërm Coimbatore, në shtetin fqinj Tamil Nadu, dhe se është jetim dhe nuk kërkon “çejz”.

Shpallja e tij ka qenë veçanërisht tërheqëse për gratë sepse në Indi dhëndurët paraprakisht për “çejz” kërkojnë shuma të mëdha të parave, dukat apo një pjesë të pasurisë.