Site icon Telegrafi

“Kapërcimi i vetmisë”

Naile Demiri

Një vlerësim modest i veprës “Kapërcimi i vetmisë” i Muhamet Mustafës

Modest, që sillet me thjeshtësi a që jeton thjesht; që nuk mburret për aftësitë e zotësinë që ka ose për punën e rëndësishme që bën ose që nuk e mbivlerëson vetveten; që nuk parashtron kërkesa të tepruara; që është tipar i një njeriu të tillë; i thjeshtë. Pas leximit të veprës, i tillë m’u duk prof. dr. Muhamet Mustafa.

Duke ditur se vepra e pasqyron autorin, dhe anasjelltas, autori e pasqyron veten në vepër, dhe se thjeshtësia si cilësi është edhe kategori estetike që kolorit majat e artit, ku atje lart bashkon të harmonizuar jo vetëm ngjyrat, por edhe realen me të vërtetën, bashkon njëmendësinë me konkreten, heq dyshimet, nebulozat, mjegullnajat etj., të reve e cunameve që mbulojnë bukuritë e natyrës dhe pastërtitë e shpirtit të njerëzve të pastër duke fisnikëruar kështu në pafundësi njerëzoren dhe historinë e saj.

Është ky një libër ku pasqyrohet biografia e autorit, familjes Mustafa dhe shtetit të Kosovës.

Në subjektin, lëndën apo brumin e kësaj vepre gërshetohet individualja, e veçanta dhe e përgjithshmja, karakteristikë dhe mënyrë e veçantë e të shkruarit të autorëve të mëdhenj të cilët bëjnë histori. Autori ka shkruar edhe shumë libra më parë, por kjo është vepra e parë e tij me vlerë e kapital nga historia, me shumë gjëra të cekura për herë të parë nga fushat e shkencave shoqërore dhe diturisë kulturore përgjithësisht.

Arian Civici në parathënie të këtij libri do shkruan: “Duke lexuar librin ‘Kapërcimi i vetmisë’ ke gjithmonë përshtypjen se nuk po lexon thjesht kujtimet e një jete të një personaliteti shumëdimensional si Muhamet Mustafa por, mbi të gjitha, ka faqe e faqe të tëra kur ‘humbët apo zhytesh’ në vetë historinë e Kosovës, aktualen dhe të kaluarën, në detaje të vogla në dukje, por mjaft domethënëse në përmbajtje dhe në efektin e tyre”. Ndërsa, Bardh Rugova shkruan: “Muhamet Mustafa e ka shkruar historinë e jetës së tij. Ne, brenda saj, e lexojmë historinë e lindjes së një shteti”.

Vepra është e shkruar mirë gjuhësisht, me një lidhshmëri të thuktë të fjalëve, fjalive dhe paraqitje e plotë e kuptimplote e përmbajtjeve që bëjnë tërësinë e veprës. Pra, syzheu i veprës është i baraspeshuar karshi konceptit didaktik-metodik dhe subjektit të veprës që parashtrohet shtjelluar në libër.

Subjekti i veprës është interpretimi i angazhimit të një plejade njerëzish që bartin në supet e veta të gjitha vështirësitë sfidat dhe sakrificat për të bërë shoqërinë dhe Atdheun e tyre të lirë. Në kthesa të tilla shoqërore, kur lind një shoqëri e lirë e cila nuk bëhet pa sakrificë, është krejt e natyrshme që heroi i veprës duhet t’i këtë cilësitë, tiparet e karakteristikat e Muhametit tonë. Periudhat e tilla e lindin dhe e emërojnë heroin, edhe pa dashjen e tij.

Personazhi kryesor i veprës “Kapërcimi i vetmisë”, në këtë rast Muhameti, është një personazh i cili e mbizotëron politikën si koncept, si një veprimtari të vetëdijshme shoqërore që zotërohet dhe menaxhohet nga njeriu, dhe jo e kundërta që “politika” me menaxhu me njerëz. Muhameti përfaqëson “yndyrën” e popullit shqiptar të pushtuar nga serbet; përfaqëson shtresën e mesme të shoqërisë që krijohet dhe lind vetëm në kohen e kthesave të mëdha shoqërore që, bashkë me të, bashkë më lindje , parashtron edhe kërkesat që duhet t’i zgjidhë shoqëria.

Ky është një determinizëm shoqëror. Kjo kërkesë shoqërore e mban të gjallë heroin në gjirin e vetë dhe e përgatit për të dalë në ballë të kërkesave që i parashtron shoqëria për zgjidhje. Nuk është e rastit kur Muhameti solidarizohet me popullin dhe lëshon kërkesën për dorëheqjen e ca funksionarëve nga postet e tyre, atëherë kur ata bëhen pengesë për prosperitetin e Kosovës… Ja se çka shkruan: “Në emër të humanizmit e të vërtetës, protestoj ashpër kundër sjelljes arrogante të Ali Shukrisë, të Rrahmon Morinës dhe të Husamedin Azemit dhe identifikimit të tyre me politikën e LKJ-së…”. Kjo kërkesë imediate shoqërore që shpije në përsosjen e shoqërisë shqiptare, shtynë Muhametin, përkundër rrezikut dhe pasojave të paparashikuara, t’i vihet pushtimit serb, sikurse edhe më vonë, edhe ilegalisht, me statusin e qytetarit refugjat, në rrethim të egër ushtarak: ai lë nënën e familjen dhe kalon kufirin për të marrë pjesë në konferenca shkencore, atu ku përgatitet kulaçi për pavarësinë e Kosovës.

I lindur në Rimanishtë në shpati të Prishtinës, të parët e të cilit dikur ishin “strukur” nga pushtuesit sllav, zbret në Prishtinë dhe udhëheq procese shoqërore – nga mësues klase, redaktor gazete, ministër federativ, profesor fakulteti e deri te udhëheqës i ekipit të ekspertëve për fushën e ekonomisë NË negociatat me Serbinë që do mbahen në Vjenë… Nuk lë gjë pa përmendur në këtë vepër, thuajse për të gjitha proceset shoqërore nëpër të cilën ka kaluar shoqëria, familja e tij, bashkatdhetarët e tij, e në veçanti brezi i tij – që nga terrori serb pas Luftës së Dytë Botërore, kur u pushta Shqipëria nga Jugosllavia (nëntor 1944), kur Enver Hoxha u bë vasal i Serbisë e Kosova u bë koloni serbe, e deri te dëmet e mëdha e të pariparueshme në njerëz e çështje materiale gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar kur Kosova po shkëputej përfundimisht nga Serbia ( sipas hulumtimit shkencor që ka bërë vetë profesori me ekipin e tij, Serbia gjatë viteve të 1990-ta i ka shkaktuar Kosovës rreth 22 miliardë euro dëme direke, pa llogaritur efektet e tërthorta në zhvillimin afatgjatë). Trinomi serb ( kisha, akademia, shteti) kishte pushtuar e sunduar gati 100 vite në Kosovë duke plaçkitur pasuritë e saja materiale e humane, por kurrë nuk kishin thyer e pushtuar shpirtin e saj të gjallë për liri.

Regjimi kolonial serb në Kosovë, krahasuar me atë të pushtimit vasal serb në Shqipëri, të udhëhequr nga Enver Hoxha, dukej se kishte qenë diç më i “butë”. Në Shqipëri, nga nëntori i vitit 1944 e deri në vitin 1997 (tek i ashtuquajturi revolucion i vonuar), vriten me gjyq e pa gjyq, persekutohen e internohen me qindra e mijëra shqiptarë të pafajshëm, kryesisht intelektualë të shkolluar në universitete prestigjioze të Perëndimit; aty udhëhiqej një politikë ekonomike e varfërisë, që vazhdimisht varroste fuqitë prodhuese me bunkerët e betonit etj. Shtypja e egër e vasalit serb, Hoxhës, që gati kishte ndryshuar edhe strukturën e ADN-së shqiptare duke i kurorëzuar të rinjtë me sllavë, grekë, kinezë, vlleh etj., nuk ishte pa ndikim negativ në Kosovë, sidomos tek shtresa intelektuale, e veçmas elita e saj. Në këtë mënyrë influenconte Shqipëria duke amortizuar e dezorientuar “rrjedhat” shoqërore.

Por, i ati i Muhametit , baba Hoxhë, profesori Sylë Riminishta, vazhdimisht të birit ia tërhiqte vërejtjen duke e këshilluar se ai sistem nuk është sistem njeriu… “Enveri punon për sllavë”, i thoshte. Kjo do vërtetohet në vitin 1992 e 1997, kur me mijëra shqiptar, kryesisht të rijnë, gjejnë vdekjen në brigjet italiane duke lëshuar atdheun e tyre për bukë goje…

Në veprën “Kapërcimi i vetmisë”, trajtohet në mënyrë eksplicite edhe përpjekja titanike e titanëve të kësaj plejade për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, pas largimit të forcave pushtuese serbe nga Kosova, por vazhdimisht e sfiduar nga falangat komuniste të ngjyrave të ndryshme. Tema dhe nëntemat që trajtohen në këtë vepër janë të kauzës tonë dhe metodologjisë për zgjidhjen e tyre, vazhdimisht të përshkuara me fenomenologjinë humaniste, duke pasur synim ruajtjen e njeriut dhe respektin ndaj tij. Ideja e veprës thuaja se është synonim i kauzës tonë kombëtare, duke lindur a shfaqur edhe vetë titullin apo emërtimin e librit “Kapërcimi i vetmisë”.

Dhe vërtetë, Kosova, por edhe Shqipëria do të shtoja, e kapërcyen vetminë, por tani u duhen edhe më shumë kuadro të fushës ekonomike, të rangut të Muhamitit tonë. Filozofi antik me kohë i bën të ditur njerëzimit se “Ku e kam mirë e kam Atdheun”. Muhameti ynë në këtë vepër thotë: “Me rritjen e kapaciteteve të resurseve humane edhe në tokat shqiptare bëhet më mirë se në çdo vend tjetër, ngase këtu, në këto toka, është derdhur dhe kanë ngelur pasuritë më të mëdha natyrore për njeriun”.

Qëllimi i këtij shkrimi, kësaj rezymeje për veprën, ishte që të vë edhe njëherë në dijeni lexuesin se ka dal në shitje një libër, një margaritar, një xhevahir i veçantë që plotëson shumë nga mangësitë diturore të lexuesit. Libri lexohet lehtë dhe vazhdimisht shton kureshtjen e lexuesit të arrijë në fund dhe përsëri ta nxisë edhe një herë në lexim.

Në fund, e përgëzoj autorin për guximin e madh intelektual e shkencor, duke dëshiruar që të vazhdohet më tej.

Exit mobile version