Site icon Telegrafi

Kapen trafikantët e vajzave

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për dosjen penale me nr.85 dhe dërgoi në gjyq shtetasit Zylyftar Tare, Ilir Saraçi, Agron Sinani dhe Kudusi Oka, të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale të rekrutimit dhe detyrimit të femrave për ushtrim prostitucioni, si dhe për trafikim të të miturve, pasi u premtonin se do t’i punësonin si këngëtare në lokale nate.

Veprat penale janë kryer nga të dyshuarit gjatë vitit 2010, vit në të cilin ata kanë bashkëpunuar mes tyre me qëllim trafikimin e tre vajzave në Kosovë. Dy nga vajzat janë nga qyteti i Elbasanit, ndërsa e treta është nga Lezha. Një nga vajzat ishte në moshë të mitur, 15 vjeç, ndërsa dy të tjerat 18 dhe 19 vjeç.

Burime të policisë thanë se “Zylyftar Tare u njoh me tri vajzat, dhe në gusht të vitit 2010, ai i ka marrë dhe i ka mbajtur ato për tetë ditë në banesën e tij në afërsi të Shkollës së Bashkuar, në Linzë, në Tiranë.”

Prokuroria dokumentoi fakte, se gjatë kohës që i mbante vajzat në banesën e tij në Linzë, Zylyftar Tare organizoi trafikimin e tyre në drejtim të Kosovës dhe kreu veprime në bashkëpunim me shtetasit Ilir Saraçi, Agron Sinani, që ranë në pranga gjatë aksionit “Premtimi” dhe shtetasin Kudusi Oka, që u arrestua më pas.Gjatë kohës që vajzat mbaheshin në Tiranë, të akuzuarit komunikonin me persona të caktuar në Kosovë për pritjen e vajzave. /Telegrafi/

Exit mobile version