Telegrafi

Në Lipjan kapen barna të kontrabanduara në vlerë 20 mijë euro

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në një barnatore në Lipjan janë konfiskuar barna të ndryshme, të cilat janë kontrabanduar në Kosovë, vlera e të cilave llogaritet të jetë 20 mijë euro.

Në një kontroll të realizuar në një barnatore në Lipjan, janë gjetur dhe konfiskuar 6, 858 paketime të barnave të ndryshme me banderola të shteteve të huaja, konkretisht nga Serbia dhe Shqipëria.

Sasia e barnave të kontrabanduara llogaritet të ketë një vlerë prej rreth 20 mijë euro.

Si pasojë, ndaj palës përgjegjëse janë iniciuar procedurat kundërvajtëse për veprimet e tyre të paligjshme.

Drejtoria e Doganës apelon te qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë në mënyrë që të kontribuojnë në luftën kundër kontrabandës dhe kriminalitetit ekonomik.