Site icon Telegrafi

Kapen 8 tonë hashash në rimorkion e një kamioni (Video)

Mediat lokale italiane “Venezia Today” dhe “Nuova Venezia” informojnë se gjatë pasdites së të mërkurës të datës 8 shkurt, policia financiare e qytetit të Ankonës ka sekuestruar në territorin e Venecias 8 tonë drogë e tipit hashash në bordin e një kamioni me rimorkio, që kishte mbërritur pak orë më parë me një traget të linjës Shqipëri- Itali.

Nën pranga është vënë dhe drejtuesi i automjetit, një 38-vjeçar shtetas i Maqedonisë, njofton Top Channel.

Operacioni i Financës së Ankonës ka nisur menjëherë sapo kamioni i tipit TIR, ka zbarkuar në portin e Ankonës dhe sipas mediave italiane, policia italiane ishte në dijeni të ngarkesës së drogës, por e ka lënë të kalojë doganën me qëllim gjetjen e destinacionit final të dorëzimit të saj.

Financa e Ankonës është vënë në ndjekje të kamionit, i cili fillimisht ka udhëtuar drejt Milanos e më pas ka ndryshuar drejtim për në Venecia.

Në një pikë furnizimi, karburanti në provincën e Venecias, drejtuesi i kamionit ka braktisur rimorkon me ngarkesën e drogës dhe ka rinisur udhëtimin vetëm me kamion e tij.

Nuk dihet nëse ky ishte vendi i dorëzimit të drogës apo drejtuesi i automjetit e ka lënë pasi ka nuhatur ndjekjen nga policia italiane. Në rimorkion e braktisur policia italiane ka gjetur 8 tonë marijuanë e mbuluar me material polisteroli.

Drejtuesi i kamionit është arrestuar në afërsi të autostradës me drejtim Triesten e me shumë gjasa po rikthehej në Shqipëri përmes rrugës tokësore.

Deri më tani, as Financa e as policia italiane nuk kanë dhënë një informacion zyrtar mbi këtë ngjarje.

Exit mobile version