Telegrafi

Kapen 220 kilogramë kanabis në Podgoricë, dyshohet se vinte nga Shqipëria

Foto: Ilustrim

Një sasi prej 220 kilogramë kanabis e ndarë në 224 pako është kapur në një kamion në Podgorice që vinte nga Shqipëria.

Në dokumentet e pikës doganore kamioni ishte regjistruar për transport të fruta perimeve, konkretisht lakra.

Kamioni i përkiste një kompanie të quajtur fruta-perime “Bugarin” me seli në Podgoricë.

Shoferi i kamionit është larguar me vrap në momentin që nga ana e policisë i është komunikuar se do të kontrollohej.

Sipas informacioneve shoferi nuk rezulton të jetë shqiptar.

Ndërkohë, sasia e kanabisit të sekuestruar është raportuar dhe tek pala shqiptare për verifikim, pasi ka dyshime se ngarkesa mund të jetë marrë në vendin tonë.

Autoritetet shqiptare do të verifikojnë edhe të dhëna tjera për itinerarin e kamionit, megjithëse deri më tani për arsye hetimore nuk bëhen të ditura.

Kjo është ngarkesa e dytë, brenda pak muajsh që kapet në Malin e Zi, ndërsa metoda e përdorur është e njëjta, me anë të kamionëve të deklaruar për import-eksport fruta perimesh.

Dyshimet e para janë se mund të kemi të bëjmë me të njëjtën linjë, por grupi hetimor ende nuk ka një rezultat pasi është ende herët. /Euronews.al/