Telegrafi

Kapacitetet teknike mbajnë në fuqi reduktimet e ujit

Liqeni i Badocit, pas 8 vjetësh, është mbushur maksimalisht. Ai ka filluar edhe të kapërderdhet. Herën e fundit ishte kapërderdhur në vitin 2006.

Një situatë e tillë, sipas përgjegjësve të KR “Prishtina”, do ta bëjë të mundshme që kryeqytetasit të kenë ujë vetëm për një orë më shumë. Liqeni i Batllavës e ka arritur kuotën maksimale gjatë muajit shkurt.

Pavarësisht kësaj, zonat e kryeqytetit që furnizohen me ujë të pijshëm nga të dy liqenet, vazhdojnë pothuajse me të njëjtat reduktime. Këtë e thonë pothuajse të gjithë kryeqytetasit, shkruan Koha Ditore.

“Në familjen tonë nuk kemi vërejtur asnjë ndryshim sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Reduktimet janë njësoj, si sot, si dje e si para dy javësh”, ka thënë banori i lagjes “Mati 1”, Heset Berisha, teksa shtronte pyetjen se si është e mundur që ujë të ketë për të humbur, kurse qytetarët të vazhdojnë të jetojnë nën kushtet e reduktimeve. Mirëpo, mosheqjen e reduktimeve deri në lëshimin edhe të Fabrikës së ujit që po ndërtohet në Shkabaj, e thonë edhe zyrtarët e kompanisë së ujësjellësit rajonal (KUR) “Prishtina”.

“Reduktimet e ujit vazhdojnë ende të jenë pjesë e kryeqytetit”, ka thënë zëdhënësja e Ujësjellësit, Arietë Mjeku-Azizi, teksa ka sqaruar se e mirë e kapërderdhjeve është se gjatë verës nuk do të ketë mungesë të ujit të pijshëm. Sipas saj me mbushjen e liqeneve akumuluese Batllava dhe Badoci sigurohet ujë i mjaftueshëm për verën e vitit 2015. /Telegrafi/