Shumica e ndërtimeve në Kosovë, përfshirë këtu ndërtesa banimi, qendra tregtare, e edhe ndërtesa qeveritare, u bënë pa plane urbanistike në 17 vjetët e fundit. Një trend i tillë ka shkaktuar kaos urbanistik, vlerësojnë ekspertë të fushës.
Valdet Osmani nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërtimet pa plane urbanistike ngufatën qytetet e Kosovës. Duke mos respektuar planet urbanistike, shton Osmani, u shkelën standardet e ndërtimit dhe kriteret e përcaktuara me ligj.
Në bazë të Ligjit, një objekt ndërtimi duhet t’i plotësojë kriteret minimale për mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme përmes rezistencës së nevojshme të strukturës së hapësirave të emergjencës, ekuilibrit dhe stabilitetit, e të tjera.
Kriteret tjera të një objekti që duhet të zbatohen, sipas arkitektit Valdet Osmani, janë edhe ndriçimi, standardet teknike të sigurisë, struktura mbrojtëse nga zhurma, siguria e jetës dhe pronës nga zjarri dhe rreziqet tjera.
“Të gjitha këto kritere hyjnë në pjesët teknike, të cilat pothuajse në shumë pak objekte janë zbatuar. Në mbi 90 për qind të objekteve të ndërtuara pas luftës, këto kritere nuk janë zbatuar”, thotë Osmani.
Të gjitha këto dëme që u janë bërë qyteteve, në veçanti kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, në të shumtën e rasteve, sipas ekspertëve të fushës, nuk mund të riparohen. Por, ata theksojnë se mund të bëhen disa hapa që të mos degradohen këto qytete edhe më shumë.
Dukagjin Hasimja, ligjërues në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kohëve të fundit, komunat kanë vënë kriteret nga standardet e euro-kodeve, por këto kritere, siç thekson ai, duhet të zbatohen nga kompanitë.
Dëmi nga ndërtimi i këtyre objekteve pa plane urbanistike është i madh dhe i pariparueshëm në shumë raste. Për këtë, shton Osmani, Kosovës i duhet një master-plan për të riparuar dëmet e shkaktuara gjatë këtyre 17 vjetëve.
Ndryshe, ndërtimet në qytete kishin marrë hov të madh pas luftës për të akomoduar banorët e shumtë, të cilët, në mungesë të punës dhe infrastrukturës elementare për jetë, kishin braktisur zonat rurale për t’u vendosur në qytete. Aktualisht, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, prin me ndërtimet, qoftë pa leje dhe mbi të gjitha me ndërtime të reja, në pothuajse secilën pjesë të saj.