Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë të premten se ndoshta mund të jetë njeriu më i urryer si rrjedhojë e kaosit të krijuar në kryeqytet nga testimi i unazës njëkahore.
Kështu tha Rama të premten duke iu drejtuar drejtoreshës së festivalit “Manifesta”, ku edhe ka mbajtur një fjalim në përmbylljen e këtij festivali.
“Sot ndoshta jam njeriu më i urryer në Prishtinë”, citon Klan Kosova të ketë thënë shkurt Rama.
Ndryshe, qytetarët e Prishtinës nga orët e mëngjesit të së premtes janë përballur me kaos në trafik për shkak të kolonave të gjata të automjeteve, pasi nga sot ka filluar testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Rrugët në kryeqytet janë bllokuar dhe udhëtimi brenda qytetit ka shkaktuar tensionim te qytetarët pasi kanë mbetur me orë në kolona. /Telegrafi/